Rasti i 400kg kokainë: Mbrojtja ankohet se gjykimi në kohë të arsyeshme e ka humbur kuptimin

Rasti i 400kg kokainë: Mbrojtja ankohet se gjykimi në kohë të arsyeshme e ka humbur kuptimin

Në gjykimin për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, avokati Florent Latifaj tha se gjykimi në kohë të arsyeshme e ka humbur kuptimin, kjo pasi që të akuzuarit janë gati 5 vjet në paraburgim.

“Gjykimi në kohë të arsyeshme e ka humb kuptimin, u bënë gati 5 vite që të akuzuarit po mbahen në paraburgim”, deklaroj Latifaj.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”

Në këtë seancë, fillimisht vazhdoi dhënien e mbrojtjes i akuzuari Kadri Sheqiri, i cili kishte filluar mbrojtjen më 22 dhjetor 2025.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni i tha Sheqirit se po përsëritet në përgjigje, andaj i kërkoi të konstultohet me avokatin e tij, Xhafer Maliqi. E pas konsultimit, i akuzuari deklaroi se për ditën e sotme nuk është në gjendje të përgjigjet.

Më pas, gjykatësi Arrni tha se me qëllim të respektimit të drejtave të të akuzuarve, Sheqirit do t’i jepet edhe një mundësi për dhënien e mbrojtjes në seancën e radhës.

Pas kësaj, avokati Latifaj tha se të akuzuarit gati 5 vite janë në paraburgim, duke shtuar se kjo jo me fajin e vetëm të gjykatës, por zvarritjes së fazës së hetimeve dhe ndërrimit të shpeshtë të përbërjes së trupit gjykues.

Në anën tjetër, i akuzuari Faton Vrajolli tha se shtyrja e gjykimit është e paarsyeshme, pasi që gjendet në masë të paraburgimit gati 5 vite.

Gjykatesi Arrni tha se edhe avokati i Vrajollit mund t’ia sqarojë atij se është marrë vendim për shtyrje të seancës, me qëllim të respektimit të të drejtave që u takojnë të akuzuarve- në këtë rast Kadri Sheqirit.

Arrni shtoi se Gjykata duhet të përkujdeset që të mos përfshihet në shkelje procedurale, duke i dhënë kështu një shancë të fundit për dhënie të mbrojtjes, Kadri Sheqirit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.

Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.

Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove.

Related Articles