Prokuroria në Prizren nuk ka të ndalur – edhe pesë të tjerë në paraburgim

Prokuroria në Prizren nuk ka të ndalur – edhe pesë të tjerë në paraburgim

Pesë persona të tjerë janë dërguar në paraburgim nga Prokuroria Themelore në Prizren, nga grupi i dytë i të dyshuarve.

Atyre iu është caktuar masa fillestare prej 48 orësh.

Kjo u bë pas intervistimit të 28 personave, nga grupi i dytë që u morën sot.

Komunikata:

Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), respektivisht për Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prizren, ka zgjeruar hetimet lidhur me grupin e dytë të të dyshuarve.

Pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të zgjerimit të hetimeve, janë intervistuar njëzet e tetë (28) të dyshuar dhe gjashtë (6) dëshmitarë.

Pesë (5) prej tyre pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë. Katër (4) prej tyre, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 të KPRK-së, si dhe një (1) person në cilësinë e Koordinatorit të KKZ-së për Komunën e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës lidhur me caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Related Articles