Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ketë tolerim për asnjë person që vërtetohet se ka manipuluar me votat, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen pas rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
I pyetur nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi, se si do të veprohet ndaj kandidatëve të LVV që mund të rezultojnë të përfshirë në manipulime, Kurti tha se procesi duhet t’i lihet në dorë sistemit të drejtësisë.
“Së pari ekzistojnë proceset e sistemit të drejtësisë dhe ne jemi të hapur për të gjitha hetimet që do të zhvillohen. Është e rëndësishme të ritheksohet se s’ka amnisti për asnjë keqbërës, për këdo që ka manipuluar. Hetimet le të shkojnë deri në fund, ne jemi aty për të bashkëpunuar me ata që do të kryejnë hetimin, që të zbardhet e vërteta dhe të vihet drejtësia, sepse vota është e shenjtë”, tha Kurti.
Ai theksoi se brenda Lëvizjes Vetëvendosje funksionon edhe një komision disiplinor statutor, i cili, sipas tij, nuk është organ i Kryesisë apo i kryetarit, por buron nga Këshilli i Përgjithshëm si organi më i lartë i partisë.
“Në Lëvizjen Vetëvendosje ekziston komisioni disiplinor, një prej katër komisioneve statutore që dalin nga Këshilli i Përgjithshëm. Kur t’i kemi të dhënat e plota, padyshim se do të shihet nëse ka material edhe për ta, por tani nuk mund të themi”, u shpreh ai.
Kurti shtoi se dyshimet për manipulime duket se janë më të përqendruara në disa komuna, por bëri thirrje për dallim mes gabimeve teknike dhe manipulimeve të qëllimshme.
“Duhet të bëjmë ndarjen mes gabimeve të mundshme teknike, që në fund të fundit janë njerëzore, edhe pse jo të mira, dhe manipulimeve të qëllimshme, madje edhe të organizuara prej më shumë se dy persona”, deklaroi Kurti.
