Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar pas intervistimit nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit në lidhje me grantet në Ministrinë e Bujqësisë sa ai ishte ministër.
Peci në reagim thotë se atij iu desh të shkojë sot në Prokurori për shkak të një “kallëzimi të rrejshëm penal” të ngritur nga deputeti i LDK-së, Paris Guri.
Ndërkaq, ai tha se në Prokurori ishte “transparent”.
“Përmes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri. Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”.
Ish-ministri Peci paralajmëroi se do të dorëzojë një kallëzim penal ndaj deputetit Guri.
“Shumë shpejt, do t’iu drejtohem organeve të drejtësisë me një kallëzim penal kundër kallximit të rrejshëm penal ndaj ish deputetit me vota të vjedhura të mërgatës. Sepse ai permes orkestrimit udhëhoqi një fushate, shpifjesh e insinuatash të paqena, që çuan deri te një kallëzim i rrejshëm penal kundër meje si ministër”.
Peci tha se po “e sulmojnë” për t’ia baltosur emrin e tij.
“Për fund, dua të përsëris dhe t’ju siguroj se sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat, shpifjet, kërcënimet e përpjekja për baltosjen e emrit tim, nuk më ndalin nga punët e mira e punët e mëdha për Kosovën! Vazhdojmë!”.
