Ismet Kryeziu, ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është shndërruar në një institucion të politizuar dhe të paaftë, duke dëmtuar drejtpërdrejt demokracinë zgjedhore në Kosovë,
Ai e cilësoi si skandaloz dhe të pajustifikueshëm vendimin për mos publikimin e rezultateve përfundimtare të Listës Serbe, duke paralajmëruar se kjo mund të sjellë vonesa serioze në certifikimin e zgjedhjeve dhe rrezik për konstituimin e institucioneve.
Kryeziu theksoi se përgjegjësit për këtë degradim institucional duhet të mbajnë përgjegjësi politike dhe morale, ndërsa kritikoi edhe përfaqësuesit opozitarë në KQZ, duke vënë në pikëpyetje rolin e tyre dhe duke paralajmëruar një zhbërje të opozitës në Kosovë.
Postimi:
KQZ është shndërruar në një institucion të politizuar dhe të paaftë, i cili me veprimet dhe mosveprimet e veta po e dëmton drejtpërdrejt demokracinë zgjedhore dhe interesat kombëtare të Republikës së Kosovës. Papërgjegjësia e anëtarëve të saj dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit kanë cenuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor, duke e zhbërë reputacionin që Kosova kishte ndërtuar si shembull pozitiv në zhvillimin e demokracisë zgjedhore, përfshirë edhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë.
Vendimi i radhës, skandaloz dhe i pajustifikueshëm, për të mos publikuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe përbën cenim të rëndë të së drejtës së përfaqësimit politik dhe ka shkaktuar reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare. Ky veprim po ashtu rrezikon të prodhojë vonesa serioze në procesin e certifikimit të zgjedhjeve, vonesa këto të papranueshme që po e shtyjnë vendin drejt konsumimit të afateve kushtetuese dhe po e rrezikojnë drejtpërdrejt konstituimin e institucioneve, duke e futur Kosovën në prag të një krize të re institucionale.
Në çdo demokraci funksionale, personat përgjegjës për këtë degradim institucional do të largoheshin menjëherë nga detyra dhe do të mbanin përgjegjësi politike dhe morale. Vazhdimi i tyre në KQZ përbën cenim serioz të vlerave demokratike dhe shkelje flagrante të parimeve të shtetit ligjor. Për më tepër, anëtarët e KQZ-së që vijnë nga partitë opozitare duhet të sqarojnë publikisht se çfarë përfaqësojnë aty, kur çdo votë e tyre rezulton e nënshtruar dhe e diktuar nga vullneti i partisë në pushtet.
Në këto rrethana, partitë opozitare dhe përfaqësuesit e tyre, duhet të aderojnë hapur në Lëvizjen Vetëvendosje dhe ta formalizojnë realitetin e një opozite që realisht po zhbëhet.
