Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të premten ka njoftuar opinionin publik se ka bllokuar produktin për foshnje “Beba Supreme” 800 gramësh, raporton Gazeta Enigma.
AUV thotë se bazuar në njoftimin zyrtar të pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar në Republikën e Kosovës produkt ushqimor për foshnja BEBA SUPREM PRE, 800 gram, me datë skadimi 05.2027 dhe kod identifikues EAN: 7613287226631, importuar nga kompania Rossmann Kosova.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është bërë bllokimi i menjëhershëm i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet, përfshirë mungesën e inspektorëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim të garantimit që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
