Aksion policor shkakton tensione në tregun e Prishtinës

Aksion policor shkakton tensione në tregun e Prishtinës

Një situatë e tensionuar është shënuar mëngjesin e sotëm në hapësirat përreth tregut të automjeteve në Prishtinë, ku ka pasur përplasje verbale mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe shitësve ilegal.

Tensionet kanë shpërthyer pasi shitësit kanë tentuar të bllokojnë rrugën në shenjë proteste, për shkak se nuk po u lejohet të shesin produkte të tjera përveç pjesëve të automjeteve brenda tregut.

Komuna e Prishtinës, përmes Inspektoratit të Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, që nga ora 05:00 e mëngjesit ka nisur një aksion të përbashkët në këtë lokacion dhe në zonat përreth.

Sipas autoriteteve, qëllimi i këtij aksioni është lirimi i hapësirave publike dhe parandalimi i shitjes ilegale të shpezëve.

Shitësit, të cilëve nuk po u lejohet të tregtojnë në tregun që tradicionalisht mbahet çdo të diel, janë shprehur të pakënaqur me vendimin, duke theksuar se kanë ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe kërkojnë të lejohen të shesin mallrat e tyre.

Ata po qëndrojnë përballë zyrtarëve policorë në shenjë proteste, ndërsa situata vazhdon të monitorohet nga policia.

Related Articles