Fermeri Valon Vehapi, nga Komuna e Lipjanit, këtë vit, gjatë fushatës së korrje-shirjeve ka arritur të sigurojë vetëm 3.000 kilogramë grurë në një hektar, apo përgjysmë më pak se vitin e kaluar.
Vehapi tregon se ka pasur të kultivuar mbi 100 hektarë sipërfaqe me kulturën e grurit. Kushtet klimatike sipas tij, gjatë këtij viti kanë qenë arsyeja e rënies së sasisë së rendimenteve.
“Nga një hektar sipërfaqe, sivjet kemi grumbulluar nga 2.800 deri në 3.300 kilogramë grurë, kurse vitin e kaluar kanë qenë nga 5.500 deri në 7.000 kilogramë për hektarë”, thotë Vehapi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë këtij viti, rreth 68.000 hektarë tokë është e kultivuar me kulturë të grurit. Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në bazë të të dhënave preliminare, sasia e prodhimit të grurit është rreth 4.000 kilogramë për hektarë, edhe pse sipas tij, pritjet kanë qenë më të mëdha. Ai shprehet se me këtë sasi, Kosova sivjet do t’i plotësojë rreth 65 për qind të nevojave të popullatës me ushqim.
“Sipas nevojave në nivel vendi, nëse do mbilleshin 100.000 hektarë tokë me grurë dhe nëse rendimenti do të ishte prej 4.000 kilogramësh, atëherë i bie që Kosova të prodhojë 400.000 tonë grurë, sa janë edhe kërkesat dhe do të përmbusheshin nevojat për konsum”, shprehet Cikaqi.
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori, janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.
Vitin e kaluar, sasia e prodhimit të grurit ka paraqitur rekord, pasi deri në 4.700 kilogramë janë siguruar për hektarë, në rreth 63.000 hektarë sipërfaqe të mbjellur me këtë kulturë.
Se rendimentet e grurit gjatë këtij viti nuk janë në nivelin e kënaqshëm, thotë edhe Tahir Tahiri, kryetar në Federatën Sindikale të Bujqve të Kosovës. Ai thotë nëse fermeri nuk arrin të sigurojë deri në 4.500 kilogramë grurë për hektarë, atëherë bujqit nuk kanë llogari të merren me këtë veprimtari.