VV kundër kërkesës për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

VV kundër kërkesës për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë së Hagës për dënimin prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas kësaj partie, kjo nuk është një akt për drejtësi, por një ndërhyrje politike që synon të përmbysë rendin e së vërtetës historike. “Kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës. Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. Kjo është e vërteta. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion”, thuhet në reagimin e partisë.

VV-ja kritikoi edhe pretendimin se shënjestrimi i individëve gjatë luftës ishte produkt i një fushëveprimi të gjerë të komanduar nga drejtues të UÇK-së. Sipas lëvizjes, kjo përpjekje është një operacion diskursiv që synon të zëvendësojë kontekstin politik të luftës me një skemë penale abstrakte, duke trajtuar rezistencën si projekt kriminal të organizuar.

“Nuk ka se si të ketë pasur plane individuale për krime kundër njerëzimit, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë, në asnjë rrethanë, plane të tilla. Krimet kundër njerëzimit nuk janë veprime të izoluara, por kërkojnë aparat zbatues ose strukturë shtetërore dhe mekanizma sistematikë dhune. Asnjë njësi e UÇK-së nuk ka pasur ndonjëherë si synim, dhe as nuk ka vepruar, sipas një metode të tillë monstruoze”, thuhet tutje në reagim.

Sipas VV-së, gjykata po përmbys raportin mes agresorit dhe viktimës, duke kriminalizuar rezistencën dhe duke relativizuar dhunën shtetërore serbe. “Pretendimi se UÇK-ja ka qenë ndërmarrje kriminale është jo vetëm i pavërtetë, por tentativë për të zhveshur nga historia luftën çlirimtare”, thuhet në deklaratë.

VV-ja thekson se Gjykata Speciale ka lindur nga një projekt ndërkombëtar i ndikuar nga interesa politike dhe gjeopolitike, ku Serbia dhe aleatët e saj kanë luajtur rol aktiv, dhe se drejtësia nuk mund të jetë selektive, një etnike dhe e bazuar mbi shtrembërimin e historisë.

“Kjo gjykatë nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kundërshtuar këtë proces që nga fillimi e madje edhe para fillimit, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, një etnike dhe e ndërtuar mbi shtrembërimin e historisë. Një drejtësi e tillë nuk shëron plagë, por i thellon ato. Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron e qartë dhe pa ekuivoke: çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit. Drejtësia e vërtetë fillon aty ku emërtohet saktë pushteti i dhunës gjenocidale dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri. Pa këtë, çdo vendim është vetëm një formë tjetër e padrejtësisë”, përmbyllet deklarata.

Related Articles