Britania zbardh vdekjen e Alexei Navalnyt

Britania zbardh vdekjen e Alexei Navalnyt

Ministria e Jashtme britanike tha se udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny vdiq pasi u helmua me shigetë e cila përmbante toksinë bretkose.

Dy vjet pas vdekjes së Navalnyt në një koloni penale siberiane, Britania dhe aleatët e saj ia kanë hedhur fajin Kremlinit pas analizës së mostrave të materialeve të gjetura në trupin e tij.

Nuk ka asnjë shpjegim të pafajshëm për toksinën, të quajtur epibatidinë, që është gjetur në mostrat e marra nga trupi i Navalnyt, tha Ministria e Jashtmee këtij vendi.

Duke folur nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe Yvette Cooper tha: “Vetëm qeveria ruse kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për të përdorur këtë toksinë vdekjeprurëse kundër Alexei Navalnyt gjatë burgimit të tij në Rusi.”

Cooper u takua me të venë e Navalny-t, Yulia Navalnaya, në konferencë këtë fundjavë.

“Rusia e pa Navalnyn si një kërcënim,” tha Cooper në këtë ngjarje, raporton BBC.

“Duke përdorur këtë formë helmi, shteti rus demonstroi mjetet e neveritshme që ka në dispozicion dhe frikën dërrmuese që ka nga opozita politike”, shtoi ajo.

Mbretërisë së Bashkuar i është bashkuar Suedia, Franca, Holanda dhe Gjermania në akuzimin e Rusisë për helmimin.

Ministria e Jashtme tha se Mbretëria e Bashkuar ka informuar Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike për shkeljen e supozuar të Konventës së Armëve Kimike nga Rusia.

Navalny – një aktivist kundër korrupsionit dhe udhëheqësi më i zëshëm i opozitës në Rusi – vdiq papritur në burg më 16 shkurt 2024 në moshën 47 vjeç.

Në vitin 2020 ai u helmua me një agjent nervor Novichok. Ai iu nënshtrua trajtimit në Gjermani dhe u arrestua në aeroport pas kthimit të tij në Rusi.

Para njoftimit të sotëm, gruaja e Navalny-t, Yulia, kishte argumentuar vazhdimisht se burri i saj u vra nga helmimi ndërsa vuante dënimin me burg në një koloni penale Arktike në vitin 2024.

Në shtator të vitit të kaluar, Yulia Navalnaya tha se analiza e mostrave biologjike të kontrabanduara të kryera nga laboratorët në dy vende tregoi se burri i saj ishte “vrarë”.

Ajo nuk dha detaje mbi helmin që dyshohet se është përdorur, mbi mostrat apo mbi analizën – por i sfidoi dy laboratorët të publikonin rezultatet e tyre.

Në kohën e vdekjes së tij, Navalny kishte qenë në burg për tre vjet me akuza të sajuara dhe ishte transferuar së fundmi në koloninë penale të Rrethit Arktik.

Sipas rrëfimeve ruse, 47-vjeçari bëri një shëtitje të shkurtër në koloninë e tij penale siberiane, tha se ndihej keq, pastaj u shemb dhe nuk e fitoi më kurrë vetëdijen.

Familja e Navalny-t konfirmoi më vonë se aktivisti politik vdiq më vonë të premten.

Related Articles