Kurti në Kuvend: Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë

Kurti në Kuvend: Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës solemne të mbajtur me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë, tha se 17 Shkurti është ditë përkujtimi për të gjithë ata që flijuan gjithçka për lirinë që populli i Kosovës gëzon sot, raporton Gazeta Enigma.

Ai theksoi se Republika dhe sovraniteti nuk janë çështje kompromisi, duke nënvizuar se liria dhe zhvillimi nuk mund të negociohen.

“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra dhe gra e fëmijë, që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës, së paku që nga viti 1968 e më tej, ndoshta s’e kishin të njëjtin vizion se si do të ishte Republike, por kishin të njëjtën dëshirë për liri. Republika në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj kur vjen fjala te Republika dhe sovraniteti ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe zhvillim”, tha Kurti.

Në fjalimin e tij, Kurti iu referua edhe akuzave ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke i cilësuar ato si të pabazuara.

“Akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime kundër njerëzimit nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare, të cilës ia detyrojmë lirinë e sotme”, tha ai.

“Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës, brengosemi që krerët e UÇK-së e të Republikës së Kosovës po akuzohen padrejtësisht sepse guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes njëshekullore dhe një regjimi gjenocidal. Akuzat e Prokurorisë në Hagë nuk qëndrojnë. S’marrin parasysh kontekstin historik e politik të luftës sonë çlirimtare që ia detyrojmë lirinë e sotme. Krimet kundër njerëzimit i ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është sot Serbia e Vuçiqit. Barazia e krerëve të UÇK-së me regjim gjenocidal është i paqëndruehsëm dhe i papranueshëm për ne”, ka thënë Kurti.

/ Gazeta Enigma.

Related Articles