Kurti: Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare

Kurti: Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare

Kryeministri Albin Kurti, para se të fillonte parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovë tha se parada e sotme nuk është demonstrim force përballë dikujt, por dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit të Kosovës, dhe aftësisë për të mbrojtur vetën dhe për të kontribuar në paqen rajonale dhe botërore

Tutje, Kurti tha se nuk do t’i mbyllin sytë as para padrejtësisë që po bëhet ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë që theksoi se besojnë në drejtësi por nuk do të lejojnë të rishkruajnë historinë.

“Sot shënojmë 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një shtet i lindur nga rezistenca paqësore e nga sakrifica popullore, nga lufta çlirimtare dhe nga ndërhyrja ndërkombëtare. Më 17 shkurt 2008, të zgjedhurit e popullit tonë në mënyrë demokratike e shpallën Kosovën shtet të pavarur në një mbledhje historike në Kuvendin e vendit tonë. Shqiptarëve iu realizua një aspiratë politike, kurse Evropës demokratike iu shtua një shtet i ri me orientim gjeopolitik dhe gjeostrategjik drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, vazhdoi Kurti.

“Por liria e Kosovës nuk filloi atë ditë para 18 vitesh. Liria e Kosovës është ngjizur shumë më herët, me përpjekjen e parreshtur ndër breza, me qëndresë të pamposhtur dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, e cila bashkë me bombardimet e NATO-s kundër Jugosllavisë së Millosheviçit, i dha fund një regjimi shtypës dhe i hapi rrugë shtetësisë sonë. Sot përkulemi para dëshmorëve të kombit dhe rënëve për lirinë tonë. Ata nuk janë vetëm pjesë e historisë, ata janë themelet e Republikës. Nderojmë invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së, si dhe i falënderojmë aleatët tanë ndërkombëtarë që qëndruan në anën e lirisë, në anën e së drejtës historike. Në këtë ditë feste, nuk i mbyllim sytë para padrejtësive. Disa nga drejtuesit e luftës sonë çlirimtare po vazhdojnë të mbahen në paraburgime të stërzgjatura në Hagë, në procese gjyqësore jo transparente dhe krejt të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë ta rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar, çlirimtare dhe antikoloniale. Një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur nën aparteid dhe kjo është një e vërtetë që nuk mund të ndryshojë asnjëherë“, theksoi ai.

Kurti u zotua se do të vazhdojnë investimin në ushtri dhe polici, ku ushtarëve e policëve u tha se nuk janë vetëm bartës të uniformes por edhe shërbëtorë e të respektuarit e Republikës.

“Të dashur ushtarakë dhe policë, ju nuk jeni vetëm bartës të uniformës, jeni shërbëtorë të nderuar dhe të respektuar të Republikës. Puna juaj, disiplina juaj dhe përkushtimi juaj është garanci e sigurisë sonë kolektive. Parada e sotme nuk është demonstrim force përballë dikujt, është dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit tonë, e aftësisë sonë për të mbrojtur veten dhe për të kontribuar në paqen rajonale dhe botërore. Kosova sot është shtet demokratik, me institucione funksionale, ekonomi me rritje dhe vizion të qartë euroatlantik. Sfida ka, por orientimi ynë është i palëkundur. Në këtë përvjetor të pavarësisë mesazhi është i qartë: Kosova është e lirë dhe do të jetë. Kosova është demokratike dhe do të jetë. Kosova është sovrane dhe do të jetë. Ne do të vazhdojmë të investojmë në siguri, sepse duam jetën dhe lirinë, zhvillimin dhe begatinë e sigurt. Do të vazhdojmë të forcojmë ushtrinë dhe policinë, sepse pa institucione të forta dhe profesionale të sigurisë nuk ka shtet të fortë dhe ambient të qetë jetese për qytetarët tanë, pa dallim. Do të vazhdojmë të punojmë për qytetarët, sepse liria ka kuptim vetëm kur shoqërohet me drejtësi dhe dinjitet. Përpara, me kurajë, mençuri dhe dije, me profesionalizëm dhe integritet, fuqishëm e me guxim, sikur dje dhe para 18 vitesh, sot, për mot dhe përherë”, tha ai.

Related Articles