Katër persona janë arrestuar në Prishtinë, pasi të njëjtit dyshohet se përmes falsigikimit të dokumenteve, kanë shitur rrejshëm një sipërfaqe prej 36.28 ari, në vlerë prej mbi 1.5 milion eurosh.
“Të dyshuarit M. M., Sh. B., D. R. dhe B. Zh., përmes veprimeve të kundërligjshme (falsifikimin e dokumenteve/pasaportën e Serbisë dhe dokumente tjera) dhe duke i përdorur si të vërteta dokumentet e rrejshme (gjithashtu duke prezantuar një person të rrejshëm si person i vërtetë), kanë arritur që ta tjetërsojnë/shesin përmes noterit, pronën e ankuesit M.T. në sipërfaqe prej 36.28 ari dhe njëkohësisht duke mashtruar blerësin H.M., se kinse janë duke ia shitur pronën me dokumentacion të rregullt, ku në këmbim të kësaj kanë marrë të holla në vlerë totale prej 1,578,180.00 euro”, thuhet në raportin e Policisë.
Përmes urdhrit verbal nga prokurori i rastit, janë realizuar kontrolle në 5 lokacione të ndryshme, me ç’rast janë gjetur mjete monetare në vlerë prej 9,000.00 euro, të cilat janë sekuestruar si provë në procedurat e mëtejme.
Personat e dyshuar dyshohet se kanë kryer veprat penale:
• ‘mashtrimi’, nga neni 323 i KPRK-së,
• ‘falsifikimi i dokumenteve’, nga neni 390 i KPRK-së,
• ‘legalizimi i përmbajtjes se rreme’, nga neni 395 i KPRK-së.
Sot me datën 19.02.2026 të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
