Dy prej të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq – kanë vendosur të mbrohen në heshtje. Përderisa Dushan Maksimoviq pritet të deklarohet në seancën e radhës.
Kjo ka ndodhur të premten në Gjykatën Themelore, ku trupi gjykues i përbërë nga kryetari Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donika Shala Abdyli, ka marrë vendime lidhur me administrimin e provave në rastin e njohur si “Banjska”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë proces, Prokuroria përfaqësohet nga prokurori Naim Abazi, ndërsa të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. I dëmtuar në këtë rast është edhe Çlirim Shaqiri, i përfaqësuar nga avokati Naim Rudari.
Gjatë seancës, përfaqësuesi i të dëmtuarve paraqiti prova materiale, përfshirë raporte mjekësore dhe fotografi të lëndimeve të Alban Rashitit dhe Çlirim Shaqirit, i cili ishte i vetmi në seancë nga të dëmtuarit. Sipas tij, Rashiti vazhdon të jetë në trajtim mjekësor dhe i paaftë për punë si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmit, ku humbi jetën edhe heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ai kundërshtoi edhe një provë të paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, konkretisht një diplomë që pretendohet se dëshmon profesionin e tij si teknik mjekësor. Sipas tij, provat e Prokurorisë tregojnë se Spasojeviq është arrestuar i uniformuar dhe i armatosur, duke theksuar se “nuk ishte person që shëronte plagë, por ai që i shkaktonte ato”.
