Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas miratimit të buxhetit për vitin 2026 në Kuvend.
Ajo ka kritikuar mënyrën e hartimit dhe miratimit të ligjit për ndarjet buxhetore, duke theksuar se, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet që nga viti 2021 dhe ka qenë në dijeni për rezultatin e zgjedhjeve që nga 28 dhjetori 2025, buxheti i miratuar nuk pasqyron as strukturën aktuale të qeverisë. Sipas saj, katër nga 19 ministrat mbesin pa buxhet sipas ligjit të votuar.
Bajrami ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të parasë publike gjatë pesë viteve të fundit, duke përmendur mbi 3,500 kontrata me negocim të drejtpërdrejtë dhe, siç është shprehur ajo, skema korruptive pa projekte kapitale me vlerë afatgjatë. Ajo ka përmendur edhe vonesat në realizimin e rrugëve rajonale, të cilat, sipas saj, prej gjashtë vitesh mbeten punishte të papërfunduara.
Sipas deputetes së LDK-së, qeveria po vazhdon me shpërndarje të pakontrolluar të mjeteve buxhetore, që sipas saj rrit importin dhe thellon deficitin tregtar. Ajo ka deklaruar se “shteti është kthyer në mekanizëm që mbledh para nga qytetarët përmes inflacionit”, ndërsa më pas, sipas saj, shpërndan mbështetje financiare simbolike për të mbuluar dështimet në arsim, shëndetësi dhe sektorë të tjerë.
Bajrami ka theksuar se vota nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për realizimin e programit qeverisës në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe forcimit të shtetit, duke shtuar se, sipas saj, kjo logjikë nuk po zbatohet nga qeveria aktuale.
