Liridon Rexhepi, i arrestuar nga Shërbimi sekret turk është liruar nga paraburgimi në Turqi ku po mbahej nga shtatori i vitit 2024.
Rexhepi akuzohej se ishte punonjës i shërbimit sekret të Izraelit, Mossad.
Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se Rexhepi është liruar nga paraburgimi dhe do të mbetet i lirë deri në përfundim të procesit.
“ Siç e kam thënë në fillim, Liridon Rexhepi është i pafajshëm dhe këtë do ta dëshmojmë në proces. Ai u arrestua në Stamboll nën dyshimin për bashkëpunim me Mossad – shërbimi sekret i Izraelit. Sipas pretendimeve, ai dyshohej për rol financiar në një strukturë të supozuar të lidhur me këtë shërbim, madje në disa raportime u përmend edhe si person me pozitë të lartë në atë hierarki të pretenduar. Tani, ai është liruar nga paraburgimi dhe do të mbetet i lirë deri në përfundim të procesit. Në raste të akuzave për spiunazh, që janë ndër më të rëndat për sigurinë shtetërore, vendimi për heqjen e paraburgimit jep indikacion serioz se i akuzuari do të lirohet”, ka thënë Koci.
