IKSHPK me rekomandime për t’u kujdesur për shëndetin gjatë agjërimit në Ramazan

IKSHPK me rekomandime për t’u kujdesur për shëndetin gjatë agjërimit në Ramazan

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka dhënë disa rekomandime për besimtarët myslimanë për t’u kujdesur për shëndetin gjatë muajit të Ramazanit.

“Muaji i Ramazanit sjell një ndryshim të përditshmërisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në stilin e jetesës, ushqyerjen dhe ritmet e trupit. Gjatë këtij muaji, agjërimi ndikon në metabolizëm, hidratim, orare të gjumit dhe aktivitetin fizik, prandaj kujdesi për shëndetin ka rëndësi të veçantë”, thotë IKSHPK.

Rekomandimet e IKSHPK-së:

Hani një dietë të balancuar dhe qëndroni të hidratuar. Pini mjaftueshëm ujë dhe konsumoni ushqime të lëngshme si supë, gjellë dhe sallatë. Shmangni pijet me kafeinë dhe ato të gazuara me sheqer, për të evituar dehidratimin dhe kaloritë e tepërta.

Për iftar, zgjidhni një vakt të shëndetshëm: filloni me hurma, ujë, shtoni perime, drithëra integrale dhe proteina si pulë, mish pa yndyrë ose peshk. Kufizoni ushqimet e skuqura, të yndyrshme dhe të përpunuara. Hani ngadalë për të shmangur tejngopjen.

Për syfyr konsumoni një vakt të lehtë me perime, bukë integrale, produkte bulmeti ose vezë, dhe një burim yndyre të shëndetshme si avokado. Shmangni ëmbëlsirat e tepërta, kripën dhe brumërat me yndyrë. Për ëmbëlsirë zgjidhni fruta të freskëta sezonale. Syfyri nuk duhet të anashkalohet dhe as të zëvendësohet vetëm me konsumimin e ujit, pasi kjo mënyrë e të ushqyerit mund të dëmtojë shëndetin. Qëndrimi për orë të gjata pa ushqim ndikon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, gjë që e bën personin më pak energjik, më pak të lëvizshëm dhe më pak produktiv.

Përdorni mënyra të shëndetshme gatimi si avullimi, pjekja ose gatimi me pak vaj. Ulni sasinë e kripës duke hequr kriporen nga tavolina dhe duke përdorur erëza për shije.

Qëndroni aktivë në mbrëmje – një ecje e rregullt ndihmon në kontrollin e peshës dhe ruajtjen e shëndetit gjatë Ramazanit.

Bisedoni me profesionistët shëndetësor para se të ndryshoni regjimin e ilaçeve për Ramazan.

Agjërimi te personat me diabet dhe hipertension

Agjërimi për personat me diabet mund të sjellë komplikime si ulje e sheqerit në gjak, rritje e sheqerit në gjak, dehidratim dhe ketoacidozë diabetike tek personat me diabet të tipit 1. Për këtë arsye, njerëzit me diabet të tipit 1 zakonisht këshillohen të mos agjërojnë.

Personat me diabet të tipit 2 dhe me hipertension, të cilët e kanë gjendjen nën kontroll — qoftë përmes dietës apo medikamenteve — mund të jenë në gjendje të agjërojnë. Megjithatë, vendimi për të agjëruar duhet të merret individualisht, gjithmonë në konsultim me profesionistët shëndetësor, duke vlerësuar gjendjen shëndetësore dhe nivelin e rrezikut.

Agjërimi gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies

Nënat shtatzëna ose ato që ushqejnë me gji, nëse janë të shëndetshme, mund të marrin parasysh agjërimin. Por, ashtu si me diabetin, vendimi duhet të merret individualisht dhe vetëm pas konsultimit me profesionistët shëndetësor, duke vlerësuar rreziqet e mundshme për nënën dhe foshnjën.

Related Articles