Talenti 16-vjeçar Erblin Osmani stërvitet për herë të parë me ekipin e parë të Bayern Munich

Talenti 16-vjeçar Erblin Osmani stërvitet për herë të parë me ekipin e parë të Bayern Munich

“Një moment që nuk do ta harrojë kurrë!”, kështu shkruan gazeta gjermane BILD, për një fytyrë e re e cila ishte e pranishme në stërvitjen e së enjtes te FC Bayern Munich: talenti 16-vjeçar Erblin Osmani.

Dy ditë para supersfidës së Bundesligës të së shtunës në Dortmund, mesfushori defensiv (i lindur në vitin 2009) u lejua për herë të parë të stërvitet me ekipin e parë, nën drejtimin e trajnerit Vincent Kompany, në qendrën stërvitore në Säbener Straße.

Osmani, kapiten i ekipit U17 të Bayernit, gëzon prej kohësh reputacion të lartë në akademinë e klubit si një mesfushor defensiv me cilësi të theksuara teknike. Ai është gjithashtu pjesë e Kombëtares gjermane U17, me dy paraqitje të regjistruara.

Përveç nëntë ndeshjeve në ligën e të rinjve U17 (me një gol dhe katër asistime), Osmani ka zhvilluar edhe dy paraqitje me ekipin U19, duke dëshmuar progres të shpejtë në zhvillimin e tij.

I majtë dhe me finesë në lojë, Osmani iu bashkua akademisë së Bayernit në vitin 2017, në moshën tetëvjeçare, nga klubi TSV Milbertshofen. Tashmë, stërvitja e parë me profesionistët përfaqëson një tjetër hap të madh në rrugëtimin e tij drejt majave të futbollit evropian.

Related Articles