Marina e Sri Lankës ka konfirmuar se ka shpëtuar 32 persona pasi mori një thirrje ndihme nga anija iraniane e marinës ‘IRIS Dena’ herët këtë mëngjes.
Budhika Sampath, zëdhënësi i marinës së Sri Lankës, thotë: “Edhe pse ishte përtej ujërave tona, ishte brenda rajonit tonë të kërkim-shpëtimit. Kështu që ishim të detyruar të reagonim sipas detyrimeve ndërkombëtare.”
Ai shtoi: “Ne gjetëm njerëz që lundronin në ujë, i shpëtuam dhe më vonë, kur pyetëm, zbuluam se ata njerëz ishin nga një anije iraniane.”
Ai gjithashtu thotë se sipas dokumentacionit të anijes, besohet se 180 persona kanë qenë në bord, megjithëse numri i saktë i të zhdukurve nuk dihet.
Zëdhënësi theksoi se në kohën e nisjes së operacioneve të shpëtimit ata nuk e panë anijen, por panë njolla nafte në ujë dhe gomone lundruese.
Më herët, sekretari i ministrisë së mbrojtjes së vendit, Zëvendës Marshalli Ajror Sampath Thuiyakontha, i tha BBC –së se rreth 140 persona mendohet se janë të zhdukur.
Deri më tani, ushtria e Sri Lankës nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë se çfarë mund të ketë shkaktuar fundosjen e anijes.
