Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese që synojnë mundësimin e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Përmes një deklarimi publik, Osmani tha se nisma vjen pas, siç u shpreh ajo, “dështimeve të njëpasnjëshme” në zgjedhjen e presidentit në institucionet e vendit. Sipas saj, amendamentet që janë dorëzuar tashmë në Kuvendi i Kosovës janë hartuar fillimisht nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
Presidentja u bëri thirrje të gjitha partive politike që t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe të votojnë pro tyre në Kuvend.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it… I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, thuhet në deklaratën e saj.
Nëse miratohen, këto amendamente do të ndryshonin mënyrën aktuale të zgjedhjes së presidentit, i cili sipas Kushtetutës zgjidhet nga deputetët e Kuvendit. Ndryshimet kërkojnë mbështetje të mjaftueshme parlamentare për t’u bërë pjesë e Kushtetutës së vendit.
