Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shkruar për takimin që ka zhvilluar sot me Presidenten Vjosa Osmani.
Hargreaves ka thënë se me Osmanin ka folur për nevojën urgjente që Kosovës t’i rikthehet stabiliteti politik.
Ai u ka bërë thirrje politikanëve në Kosovë të mbajnë bisedime konstruktive dhe të respektueshme për të gjetur zgjidhje për situatën në të cilën ndodhet vendi.
“Sot bisedova me Presidenten Osmani për nevojën urgjente që Kosova të rikthehet në stabilitet politik, në mënyrë që të mundësohet përparimi në agjendat vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë kohë të pasigurisë së shtuar politike, diskutimi politik i respektueshëm dhe konstruktiv është thelbësor për të gjetur një rrugë përpara”, ka shkruar Hargreaves.
Për takimin ka njoftuar edhe Presidenca. Në njoftim thuhet se është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe se Osmani i ka shprehur mirënjohjen ambasadorit për mbështetjen ndaj Kosovës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend. Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani e shpërndau Kuvendin të premten.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur dje masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit dhe Kuvendit, ashtu që u ndalohet çdo veprim deri më 31 mars.
