Trump thotë se SHBA-ja fitoi, por lufta kundër Iranit do të vazhdojë

Trump thotë se SHBA-ja fitoi, por lufta kundër Iranit do të vazhdojë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pretenduar se Shtetet e Bashkuara e kanë “fituar” luftën kundër Iranit, por që forcat ushtarake amerikane do t’i vazhdojnë sulmet derisa të përfundojë e gjithë puna.

Ndërkohë, Teherani vazhdon të godasë anije në rajon dhe zotohet për sulme tjera.

“Asnjëherë nuk parapëlqehet të thuhet shumë herët se fituam. Ne fituam. Qysh në orët e para”, ka thënë Trump në një tubim të mbajtur në Kentaki më 11 mars.

Komentet prej Trumpit dhe Shtëpisë së Bardhë kanë qenë të ndryshme të ditët e fundit – prej spekulimeve që lufta do të zgjaste katër deri në gjashtë javë, deri te mundësia që mund të përfundojë “shpejt”.

Trump ka thënë se sulmet amerikano-izraelite në Iran, që kanë nisur më 28 shkurt, “virtualisht kanë shkatërruar” këtë shtet të Lindjes së Mesme, duke ia vrarë një pjesë të konsiderueshme të udhëheqësisë, dhe duke ia dëmtuar forcat e armatosura e programin bërthamor.

Megjithatë, presidenti dhe të tjerë në administratën e tij kanë dhënë sinjale se nuk do të lëshojnë pe kur vjen puna te sulmet.

“Nuk duam të largohemi herët, apo jo? Na duhet ta përfundojmë punën”, ka thënë Trump.

Izraeli e ka bërë të qartë se nuk është gati t’i japë fund fushatës ushtarake, përfshirë sulmet në Liban kundër forcave të Hezbollahut – aleatë të Iranit – duke thënë se “një mori shënjestrash” vazhdojnë të ekzistojnë.

Hezbollahu është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

“Ne do ta zgjerojmë operacionin tonë”, ka thënë zëdhënësi ushtarak izraelit, Effie Defrin më 11 mars.

Në orët e hershme të 12 marsit, ushtria izraelite ka bërë të ditur për “një valë të zgjeruar sulmesh në Teheran – njoftime pothuajse të përditshme në ditët e fundit.

Related Articles