Nënkryetari i GUXO-s: Gërvalla dhe Peci kanë devijuar nga kauza, të bashkohemi me LDK-në

Nënkryetari i GUXO-s: Gërvalla dhe Peci kanë devijuar nga kauza, të bashkohemi me LDK-në

Mes dorëheqjesh nga Guxo, nënkryetari i kësaj partie po e pret Vjosa Osmanin për të lëvizur. Burim Meta mendon se zgjidhja e duhur do të ishte që t’i bashkoheshin LDK-së, duke u larguar nga Donika Gërvalla dhe Faton Peci, për të cilët thotë se “kanë devijuar nga kauza”.

Ndërkohë që kanë nisur dorëheqjet nga partia që Vjosa Osmani e kishte themeluar para se të bëhej presidente, nënkryetari i Guxo, Burim Meta, qëndron.

Ai i tha Gazetës Express se po pret përfundimin e mandatit të Presidentes për t’i koordinuar veprimet e mëpasshme, por tregoi se vetë është i mendimit se duhet t’i bashkohen Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bashkëkryetarët e Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, nuk i janë ndarë partisë së kryeministrit Albin Kurti dhe tashmë vazhdimisht marrin pjesë në zgjedhje nën logon e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata kanë heshtur kur kjo parti vendosi që të mos e mbështeste Osmanin edhe për një mandat si presidente.

Kjo gjë “i është premtuar” Osmanit, thotë Meta, i cili e konsideron gabim të madh mosrizgjedhjen e saj.

“Ka qenë gabim i madh. Gabim i madh. Fillimisht i është premtuar që Vjosa do të jetë e vetmja kandidate edhe i propozuar por edhe që mbështetet nga Vetëvendosja, më pastaj gjatë rrugëtimit ndryshuan mendim dhe gabuan dhe tashmë natyrisht që akti i vetëm i ardhshëm që e pret skenën politike janë zgjedhjet tjera që do të mbahen, natyrisht, pas vendimit që do ta marrë Gjykata Kushtetuese”, tha ai.

Meta thotë se Osmani është “i vetmi person që e ka prezantu në skenën ndërkombëtare, por edhe në unitetin vendor shtetin e Kosovës”.

“Dhe në këto kriza botërore, duke e parë afërsinë e Presidentes me Presidentin e botës, jo Presidentin e SHBA-së, por Presidentin e botës, Donald Trump, natyrisht që interes i Kosovës ka qenë që presidente me qenë Vjosa Osmani”, tha ai.

Meta thotë se Gërvalla dhe Peci “kanë devijuar nga kauza” mbi të cilën thotë se ishte krijuar ky subjekt politik, por edhe nga qëndrimet e anëtarëve.

“Zonja Gërvalla dhe zoti Peci janë dy personat të cilët janë më së paku autoritativë në partinë Guxo. Ata vetëm i mbajnë ato pozita të kryetarëve, por e tërë struktura, e tërë anëtarësia e Guxo-s nuk përkon me veprimet e këtyre dy personave. Kështu që, Guxo natyrisht, do të duhej të kishte krejt tjetër dinamikë ideologjike sesa atë që e kanë propagandu ata”, tha ai.

Related Articles