Vritet një ushtar francez në një sulm në Irak, plagosen edhe disa të tjerë

Vritet një ushtar francez në një sulm në Irak, plagosen edhe disa të tjerë

Një ushtar francez është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një sulm në rajonin kurd të Irakut verior, ka bërë të ditur presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Sipas Macron, në sulm humbi jetën rreshteri Arnaud Frion, i cili ishte i dislokuar në rajonin e Erbilit. Presidenti francez e cilësoi incidentin si një sulm të papranueshëm, shkruan Aljazeera.

“Prania e tyre në Irak është vetëm në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Lufta në Iran nuk mund të justifikojë sulme të tilla”, deklaroi Macron.

Forcat franceze janë të vendosura në Irak që nga viti 2015 si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër organizatës terroriste ISIS.

Ndërkohë, autoritetet ushtarake franceze kanë bërë të ditur se një sulm me dron ka goditur një bazë ushtarake në Irak, duke plagosur gjashtë ushtarë. Në një incident të veçantë, edhe një bazë ushtarake italiane në Erbil është goditur nga një sulm ajror, por pa viktima.

Related Articles