Brenda tre ditësh në Kosovë kanë vdekur pesë persona nëpër aksidente komunikacioni, mes tyre tre këmbësorë. Njohës të komunikacionit barrën ia lënë faktorit njeri. Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, në komunikacion kanë vdekur rreth 30 persona.
Po qëndronte në shiritin emergjent dhe pranë veturës së Policisë kur u godit për vdekje.
Mbrëmjen e së enjtes, në magjistralën Vushtrri-Prishtinë në fshatin Nadakovc një 27-vjeçar mbeti i vdekur pas goditjes që mori nga një veturë.
Për drejtuesin e makinës që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet tashmë organet e drejtësisë kanë caktuar një muaj paraburgim.
Po atë natë, por në Prizren vdiq edhe një 29-vjeçar, i cili u përplas me motorr në një veturë.
Një ditë para këtij aksidenti falat në këtë komunë për vdekje u godit edhe një këmbësor në rrugën “Wesley Clark”.
Të mërkurën, teksa po drejtonte motoçikletën një-23 vjeçar nga Podujeva u përplas me një shtyllë elektrike.
Kësisoj plagët që mori qenë vdekjeprurëse edhe për të.
Vetura i mori jetën edhe një 74-vjeçari në Skenderaj të martën.
Kësisoj, brenda 72 orësh, në trafik humbën jetën pesë persona, prej tyre tre këmbësorë.
Se kush është shkaktari për numrin e madh të aksideneve në trafik e tregoi eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.
“Rezultati është subjektiv do të thotë problematika qëndron tek indiviti, pra te njeriu kurse pjesa tjetër një përqindje e vogel është tek rruga dhe automjeti. Nuk e di se që është një pa durueshmëri tek qytetarët është një disiplinë shumë e ulët që nuk e sheh te asnjë popull tjetër, është vështirë me i bind që komunikacioni vret”, ka thënë Bekim Ahmeti, Ekspert i komunikacionit.
Ahmeti tregon hapat që duhet të ndermerren që numri i aksidenteve, sidomos atyre me fatalitet, të jetë më i ulët.
“Policia të jetë serioze, jashtëzakonisht serioze mos të fal në dhënien e gjobave siç ndodhë në Austri atje ku komunkacioni është më i miri më i sukseseshmi, të instalohen kamerat, radarët mobil dhe statik”, ka thënë Bekim Ahmeti, Ekspert i komunikacionit.
Policia ka bërë të ditur për televizionin Dukagjini se gjatë muajve janar dhe shkurt të këtij viti kanë ndodhur 19 aksidente me fatalitet, në të cilat kanë vdekur 22 persona.
Duke llogaritur edhe pesë viktimat gjatë 72 orëve të fundit, i bie qe në tre muajt e parë të 2026-tës kanë vdekur në komunikacion rreth 30 persona.
Ndërsa në një raport të Policisë thuhet se gjatë vitit të kaluar, 111 persona humbën jetën në aksidente trafiku.
