Prokuroria Themelore në Prishtinë, sot ka arrestuar katër persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh me patentë shoferë.
Tre nga të arrestuarit janë përfaqësues të dy autoshkollave, ndërsa një ekzaminere me inicialet V.L., po ashtu është arrestuar.
Njëri nga të arrestuarit është me inicialet I.M nga auto shkolla “A…….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dy persona me inicialet A.B dhe Z.B nga auto shkolla “I………….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe një person me emrin V.L ekzaminere për patentë shofer në MMPHI për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Ky arrestim është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policor nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK në Prishtinë ashtu që pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet të përdorura nga fondi i Policisë së Kosovës, ndërsa në zbatim të Urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është realizuar kontrolli në dy auto shkollat e cekura më lartë ku janë siguruar provat e nevojshme materiale, ndërsa të pandehurve I.M dhe V.L, u janë sekuestruar telefonat e tyre mobil”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit, do të dorëzojë në Gjykatë kërkesën për caktimin e ndonjë prej masave për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale.
