Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026 ka deklaruar se në javët e fundit puna e saj është përballur me një fushatë baltosëse që sipas saj përbën një përpjekje të qëllimshme për cenimin e dinjitetit njerëzor dhe dëmtimin e demokracisë, raporton Gazeta Enigma.
Kjo qasje sipas Osmanit përbën rrezik për demokracinë dhe është një mesazh i drejtpërdrejtë për gratë që synojnë të angazhohen në jetën publike, duke e cilësuar si një përpjekje për frikësim dhe eliminim përmes propagandës dhe dezinformimit.
“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra. Për ta zëvendësuar të vërtetën me imazhe të manipuluara. Gënjeshtra që përsëriten aq shumë derisa dikujt mund t’i duken të vërteta. Imazhe që krijohen për të lënduar dhe për të shkatërruar vlerat më të larta njerëzore që e kanë mbajtur popullin tonë bashkë në kohët më të rënda. Fjalë që nuk synojnë debat, por shkatërrim dhe eliminim”, tha Osmani.
“Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima. Asnjëherë. Asnjëherë si viktima. Asnjëherë. Por si mbrojtëse të demokracisë. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”, tha ajo.
“Prandaj lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë nuk është luks. Është domosdoshmëri. Dhe kërkon institucione që nuk heshtin. Kërkon që të mbajmë përgjegjës ata që përdorin teknologjinë dhe e shndërrojnë në propagandë, që shfrytëzojnë dezinformimin dhe që besojnë që narrativa e tyre mund të ruhet vetëm e vetëm nëpërmjet frikësimit. E një shoqëri që mësohet me një narrativë të tillë, e humb në tërësi, në tërësi e humb busullën morale. Mirëpo kjo nuk është luftë vetëm ndaj një personi. Është një mesazh i drejtpërdrejtë për secilën grua. Për secilën vajzë që mendon të hyjë në jetën publike. Është mesazhi që thotë se për gratë në politikë, ky është çmimi që do ta paguash. Apo edhe ndoshta më i lartë”, tha ajo. / Gazeta Enigma.
