Çështja e presidentit, flet Haxhiu: Nevojiten diskutime serioze

Çështja e presidentit, flet Haxhiu: Nevojiten diskutime serioze

Kryekuvendarja Albulena Haxhiu sot theksoi se për çështjen e zgjedhjes së presidentit duhet të ketë diskutime serioze.

Tutje, Haxhiu deklaroi para mediave se nuk e ka mbyllur seancën e 5 marsit për zgjedhjen e të parit të shtetit, por vetëm e ka ndërprerë atë.

“Pra unë nuk e kam mbyllur seancën, unë e kam ndërprerë atë, sepse natyrisht që ka dallim edhe nëse bazohemi në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj seanca do të vazhdojë në momentin që do të krijohen kushtet. Deri atëherë nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë. Prandaj në këtë drejtim i ftoj të gjitha subjektet politike që të bëjnë përpjekje maksimale. Kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Kurti ka kërkuar takime me subjektet, ju e dini sepse kjo është bërë publike. Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër”, u shpreh Haxhiu.

Ndër të tjera, Haxhiu tha se vendi nuk ka nevojë të shkoj në zgjedhje të reja.

“Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy raundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, shtoi ajo

Haxhiu ka treguar edhe për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila është thirrur për të hënën e që sipas saj, në do të trajtohen shumë projektligje.

Related Articles