Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris, ku zhvilluan edhe një drekë pune.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Presidenti Macron e uroi Kurtin për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të qeverisë, ndërsa Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës.
Në takim morën pjesë edhe Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, si dhe konsulli i përgjithshëm në Strasburg, Lulzim Hiseni.
Gjatë takimit u theksua edhe roli i rëndësishëm i NATO-s në Kosovë, përkatësisht i misionit KFOR, si dhe i misioneve të Bashkimit Evropian.
“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, thuhet në njoftim, duke shtuar se ai “nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë”.
Në këtë drejtim, Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në takim u diskutua edhe për çështje të sigurisë, përfshirë dialogun me Serbinë në Bruksel dhe bashkëpunimin me aleatët veri-atlantikë.
“Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse… si dhe për sigurinë rajonale në Ballkan”, thuhet më tej.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe planet për investime në arsim dhe organizimi i forumeve të përbashkëta ekonomike Kosovë–Francë.
Në këtë kontekst, sipas njoftimit, “Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë janë thirrje për mbështetjen dhe angazhimin e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre”.
Takimi përfundoi me konfirmimin e përkushtimit të ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Francës.
