Organizatorët e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” kërkojnë falje publike

Organizatorët e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” kërkojnë falje publike

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999” ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, duke çuar edhe në një deklaratë zyrtare nga organizatorët e saj ADMOVERE dhe INTEGRA , raporton Gazeta “Enigma”.

Përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook ata kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ndikimin dhe interpretimet që ka shkaktuar kjo ekspozitë.

Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”. Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas tyre, qëllimi i ekspozitës ka qenë të nderojë viktimat civile dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera gjatë luftës. Ata theksuan se në asnjë moment nuk ka pasur synim që të ofendohet apo të lëndohet ndonjë individ apo grup.

“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd. Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme”.

Related Articles