Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka hedhur poshtë kërkesën e deputetëve të LVV-së, me në krye kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiun, të cilët i kanë kërkuar organit më të lartë në vend, ta konsiderojnë si “shkelje kushtetuese”, mosqëndrimin në sallë të deputetëve të opozitës, gjatë votimit për Presidentin.
Të njëtjtit po ashtu i kanë kërkuar Gjykatës caktimin e masës së përkohshme, për emërimin e një Presidenti të ri, pasi siç kanë argumentuar ata, “mbajtja e zgjedhjeve të treta në 18 muaj shkakton kosto buxhetore, pasiguri politike dhe pengim të reformave”.
Kushtetuesja tha se çështjen lidhur me procedurën e zgjedhjes së presidentit veçse e ka trajtuar në dy aktgjykime të mëparshme, më 2016 dhe 2011, dhe në rrethanat e rastit aktual “Gjykata konsideron se nuk paraqiten rrethana të reja që do të arsyetonin një rishqyrtim të mëtejshëm të kësaj çështjeje”.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kjo çështje përbën çështje të gjykuar [res judicata] dhe, si e tillë, hyn në kategorinë e kërkesave që përfaqësojnë përsëritje të një kërkese të mëparshme të shqyrtuar dhe të vendosur nga Gjykata”, u tha në vendimin e Kushtetueses.
Në kërkesën e Haxhiut dhe nëntë deputetëve të tjerë, u kërkua vendosja e masës së përkohshme, duke argumentuar se kalimi i afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri “mund të çojë në shpërndarjen e Kuvendit” dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Kushtetuesja rikujtoi se për çështjen e shpërndarjes së Kuvendit veçse ka nxjerr një aktgjykim disa ditë më parë.
Gjykata i ka hedhur poshtë të dy këto kërkesa.
Vendimin e plotë mund ta lexoni KËTU.

