Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se hedhja poshtë e kallëzimit penal të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, nuk ka lidhje me grantet në bujqësi, por lidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve njëkohësisht – në Kuvend dhe Qeveri.
Gjatë ditës së sotme, Peci në Facebook njoftoi se Prokuroria kishte hedhur poshtë kallëzimin e LDK-së ndaj tij për dyshimet mbi dallaveret me dhënien e granteve sa ishte ministër i Bujqësisë.
Madje, u shpreh se do t’i denonconte deputeten e LDK-së Hykmete Bajrami dhe ish-deputetin Paris Guri për kallëzim të rremë.
Por Prokuroria ka thënë se hetimet për grantet janë ende duke u zhvilluar.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se rasti për të cilin po raportohet se është hedhur kallëzimi penal ndaj F.P., nuk ndërlidhet me hetimet që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për keqpërdorim të granteve në sektorin e bujqësisë. Rasti në fjalë ka të bëjë me një kallëzim penal të paraqitur nga subjekti politik LDK, i cili ndërlidhet me çështjen e ushtrimit të dy funksioneve në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
LEXO EDHE: Peci: Prokuroria hodhi poshtë kallëzimin penal ndaj meje, shihemi në gjykatë
Prokuroria Speciale theksoi se mbetet e përkushtuar për të informuar drejt opinionin publik, duke respektuar parimin e transparencës dhe duke ruajtur integritetin e procedurave hetimore.
LDK-ja pati kallëzuar në Prokurori ministrat në Qeverinë Kurti II që njëkohësisht ishin edhe deputetë, duke pretenduar se kjo përbën konflikt interesi.
