Derisa ka mbetur edhe pak kohë për emërimin e anëtarit të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , dilema kryesore vazhdon të mbetet nëse ky post duhet t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje apo Partisë Demokratike të Kosovës.
Eugen Cakolli, menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës, vlerëson se ish-presidentja, Vjosa Osmani nuk i ka ushtruar kompetencat e saj kushtetuese në këtë proces.
Cakolli thotë se situata mund të komplikohet edhe më tej, sidomos për shkak se ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, vjen nga radhët e LVV-së.
“Afatet e përcaktuara ligjore tashmë janë shkelur dhe për mua ka qenë e pakuptimtë se si presidentja në ditët e fundit të mandatit të saj nuk e ka ushtruar një kompetencë e cila është kompetencë ekskluzive e saj.”, ka thënë Cakolli.
Ai ka shpjeguar edhe atë se kujt i takon anëtari.
“Në rast të një emërimi i cili nuk do të ishte në përputhje me praktikën dhe legjislacionin në fuqi, e sipas të cilit anëtari i dytë i takon në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës, meqenëse modeli që aplikon Kosova është modeli strikt i përfaqësimit, ku nuk merret parasysh proporcionaliteti në Kuvend. Pra, nuk ka rëndësi se sa deputetë ka një subjekt politik, për sa kohë që kualifikohet grupi parlamentar si i tillë, atëherë automatikisht edhe ndarja e vendeve bëhet në të njëjtën formë“, ka thënë ai.
Cakolli ka paralajmëruar se nëse anëtari emërohet nga radhët e LVV-së, çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Të mërkurën, PDK-ja i është drejtuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me një kërkesë zyrtare për procedimin e emërimit të anëtarit të dytë të kësaj partie në KQZ.
Ndryshe, më 11 prill është afati i fundit ligjor për ta bërë emërimin.
