Vuçiq: Dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën

Vuçiq: Dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, priti të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin, siç tha, diskutoi për çështjet që rëndojnë marrëdhëniet në rajon.

“Në fokus të bisedës ishte situata në ‘Kosovë dhe Metohi’, veçanërisht siguria e popullsisë serbe dhe pasiguria e madhe që ajo përjeton, për shkak të aplikimit selektiv të ligjeve dhe diskriminimit të dukshëm në shumë fusha të jetës”, shkroi Vuçiq në Facebook.

Ai tha se masat e njëanshme të Prishtinës dhe zbatimi i ligjeve pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz mbi popullin serb dhe “institucionet jetike serbe” në Kosovë.

Vuçiq, mësa duket, iu referua Ligjit për të huajt dhe atij për automjete, që nisën të zbatohen në Kosovë nga 15 marsi.

Vuçiq shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si rruga e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Ai tha se ka kërkuar angazhimin konkret të aktorëve në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai, po ashtu, paralajmëroi se “veprimet e njëanshme nga Prishtina” rrisin tensionet dhe cenojnë stabilitetin e brishtë në terren, duke dëmtuar procesin e dialogut.

“Kam përsëritur se angazhimi i fortë dhe i vazhdueshëm i BE-së është thelbësor për të parandaluar aktivitete të tilla dhe për të siguruar që asnjë veprim të mos ketë për qëllim pengimin e dialogut, por, përkundrazi, krijimin e kushteve për zhvillimin e tij të qetë dhe konstruktiv”, shkroi Vuçiq në rrjetet sociale.

Related Articles