“Tendencë për me ndërtu agjendë të fushatës” – LDK e PDK s’i mbështesin tetë projektligjet e LVV-së

“Tendencë për me ndërtu agjendë të fushatës” – LDK e PDK s’i mbështesin tetë projektligjet e LVV-së

LDK e PDK po i bojkotojnë votimet e parapara për sot në Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta Enigma.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që në rend dite në seancën plenare të futen tetë projektligje, në mesin e tyre ai për çmimet tavan, për lojërat mesdhetare, për banimin social, për sigurimet shëndetësore, e të tjerë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se partia e tij nuk do të mbështesë projektligjet e propozuara nga LVV.

“PDK konsideron se këto propozime të projektligjeve nuk janë urgjente dhe si të tilla nuk e mbështetë asnjë që të mundësohet të trajtohet jashtë procedurave të rregullta. Kjo është një tendencë e qeverisë që me ndërtu agjendë të fushatës zgjedhore…”, tha Tahiri.

Edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu thejsoi se partia e saj nuk do të mbështesë projektligjet e propozuara nga LVV.

“Ne sot po tentojmë të miratojmë rendin e ditës të propozuar në kryesi i cili fatkeqësisht për shkak të mungesës së konsensusit nga grupi më i madh parlamentar nuk arriti të miratohet, ne kemi një draft aty dhe sot po kërkohet që kjo të plotësohet me një numër shtesë të projektligjeve, projektligje të cilat kanë kaluar këtë javë në komisione dhe po vijnë për t’u miratuar në mënyrë të përshpejtuar në seancën e Kuvendit. Në fakt të gjitha temat projektligje trajtojnë janë të rëndësishme për qytetarët, por jo për periudhën për të cilën duhet të shqyrtohen. Projektligjet kërkohet që të analizohet dhe këto kanë ardhë më pak se një javë tek deputetët”, tha fillimisht Lushaku.

Tutje, ajo tha se kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të ketë përkrahjen e deputetëve të LDK-së, pa kohën e mjaftueshme për analizimin e tyre.

Pa mbështetjen e partive të tjera opozitare këto projektligje nuk arritën të futeshin në rendin e ditës së premte, 10 prill./ Gazeta Enigma.

Related Articles