Kryetari i Komunës së Skenderaj, Sami Lushtaku, njoftoi se dy ambulanca të mjekësisë familjare, në fshatrat Banjë dhe Syriganë janë mbyllur, pasi funksiononin ilegalisht “nën menaxhimin e strukturave paralele serbe” dhe jashtë “rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës”.
Lushtaku përmes një postimi në Facebook tha se ajo që është gjetur në këto ambulanca është “e papranueshme”, duke theksuar se janë gjetur barna pa banderolë dhe me afat të skaduar, janë përdorur receta mjekësore pa praninë e mjekut, si dhe “shkelje të tjera të shumta që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore”.
“Nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale”, shkroi Lushtaku, duke shtuar se këto ambulanca mund të rinisin punën vetëm pasi të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Kosovës.
