Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin mars 2026, me vit bazë 2015=100, ku vërehet rritje e ndjeshme e çmimeve në baza vjetore dhe mujore.
Sipas të dhënave zyrtare, çmimet e konsumit janë rritur mesatarisht 6,7% në mars 2026 krahasuar me marsin e vitit 2025, ndërsa inflacioni mujor ka shënuar rritje prej 1,5% krahasuar me shkurtin 2026.
Rritja vjetore është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve dhe produkteve si biletat e fluturimeve, energjia elektrike, karburantet, ushqimet bazë, si dhe shërbimet hoteliere e personale.
Në baza mujore, rritja është nxitur kryesisht nga karburantet, perimet, pemët dhe mishi, ndërsa ulje e çmimeve është shënuar te energjia elektrike dhe lëndët djegëse të ngurta.
ASK thekson se ndryshimet në indekset e çmimeve pasqyrojnë lëvizjet e përgjithshme të tregut të konsumit në vend gjatë periudhës së raportuar.
