Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, sipas të cilave inflacioni në mars ka arritur në 6.7%.
Ajo ka theksuar se, përkundër kësaj përqindjeje mesatare, çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë kanë pësuar rritje shumë më të larta, duke përmendur transportin, energjinë, ushqimet dhe biletat e fluturimeve.
Bajrami ka deklaruar se kjo situatë po rëndon përditshmërinë e qytetarëve, të cilët përballen me kosto në rritje për nevojat bazike.
Ajo ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për mungesë masash për të përballuar rritjen e çmimeve dhe për menaxhimin e situatës ekonomike.
Sipas saj, rritja e çmimeve ka ndikuar edhe në rritjen e të hyrave nga tatimet, ndërsa institucionet nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për mbështetjen e prodhimit vendor.
Postimi i plotë:
Derisa kryeministri i Kosovës, me ligjëratë për ekonomië po “lë gojëhapur” në Londër ekonomistët me renome botërore, këtu Agjencia e Statistikave të Kosovës, që operon në Zyrën e po këtij kryeministri, ka dalë me publikim ku tregon se inflacioni në mars ka arritur në 6.7%.
Të kuptohemi drejtë: 6.7% është rritja mesatare e çmimeve në krahasim me vitin e kaluar, por realiteti është shumë më i hidhur dhe këtë e dinë qytetarët që shkojnë çdo ditë në market.
Sipas ASK-së:
Çmimet e shërbimeve të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit janë rritur +42.5%,
Çmimet e biletave të fluturimeve +38.4%,
Çmimet e furnizimit me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin +31.9%,
Çmimet e energjisë dhe karburanteve +17.4%.
Çmimet e lëndëve djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet 15,6%
Çmimet e pemëve +13.1%
Çmimi i mishit +12.4%
Çmimet e kafes, çajit, kakaoa +7.8%
Mos harroni se me të njëjtën përqindje rriten edhe të hyrat e Qeverisë nga tatimi i këtyre produkteve.
Kjo është kriza që qytetarët e Kosovës po e paguajnë çdo ditë.
Pra, gjithçka që qytetari ka nevojë për të jetuar është bërë më e shtrenjtë. Ndërkohë, Albin Kurti ka dalë nëpër botë e po shet mend për “stabilitet ekonomik”. Çfarë stabiliteti është ky kur rritja e çmimeve është dyshifrore dhe qytetarët detyrohen të heqin dorë nga gjërat bazike.
Po, e dimë të gjithë se një pjesë e rritjes së çmimeve vjen si rezultat i krizave globale, por a nuk jemi ne vendi i vetëm ku Qeveria nuk ndërmori asnjë masë?
Çmimet nuk ulen me ligj as ligjërata, çmimet mbahen të ulëta kur ndihmon sektorin e prodhimit, kur objektiv e ke zëvendësimin e importit me prodhim vendor, kur je në gjendje t’i ndihmosh këtij sektori edhe duke hequr dorë nga disa të hyra buxhetore.
Por, Albin Kurti kurrë këtë hall s’e ka pasur. Ai sot s’e ka idenë me çfarë problemeve po përballen prodhuesit e përpunuesit e qumështit në Kosovë, sepse nuk ka dashur të dijë. Ai çdo mëngjes e pyet Hekuranin se si të maksimizojë votën me 200 milionë Euro taksa të qytetarëve.
Albin Kurti mundet veç një ligjëratë me mbajtë: me u tregu partive politike nëpër botë si fitohen zgjedhjet duke blerë vota me buxhet të shtetit. Ky është suksesi i tij i vetëm, i faktuar deri me tani.
