Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi, Dragan Gjilas, ka vlerësuar se rezultatet e zgjedhjeve në Hungari përfaqësojnë një mesazh të fortë politik dhe një nxitje për ndryshime të thella në Serbi.
Sipas tij, “energjia që ndiejnë qytetarët e Hungarisë” simbolizon, siç u shpreh ai, një moment të rëndësishëm kur autokracia po tërhiqet dhe shpresa po rikthehet në skenën politike të vendit.
Në një postim në platformën sociale “X”, Gjilas tha se sipas rezultateve të para të zgjedhjeve, është shënuar një humbje politike e kryeministrit hungarez Viktor Orbán, të cilin ai e cilësoi si partnerin më të afërt politik dhe biznesor të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ai shtoi se qytetarët e Hungarisë, sipas tij, nuk i kanë falur autoritetet për largimin nga rruga evropiane dhe për korrupsionin sistemik, duke i dhënë besimin liderit të opozitës Péter Magyar.
“Ne duam një ndryshim të tillë edhe në Serbi”, u shpreh Gjilas, duke përgëzuar Hungarinë për, siç e quajti ai, “guximin për ta rikthyer vendin në rrugën e lirisë, drejtësisë dhe Evropës”.
Në përfundim të deklaratës së tij, Gjilas theksoi se beson se “liria do të arrijë së shpejti në Serbi”.
Udhëheqësi i partisë, Tisza, Peter Magyar, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Hungari, teksa kryeministri aktual, Viktor Orban, e ka uruar për fitoren në votimet e së dielës.
Orban ka udhëhequr me Hungarinë për 16 vjet dhe në zgjedhjet e 12 prillit garoi për mandatin e gjashtë radhazi.
Në një prononcim për media, Orban tha se rezultati i zgjedhjeve “është i qartë” dhe “i dhimbshëm” për partinë e tij, por u zotua se do t’i shërbejë Hungarisë nga opozita.
