Prishtina nuk ka arritur më shumë se një pikë në përballjen ndaj Dukagjinit, në kuadër të javës së 23-të në Superligën e Kosovës, duke barazuar 1-1 në stadiumin Fadil Vokrri Stadium.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë, teksa të dy skuadrat gjetën golin brenda pak minutash. Fillimisht, Altin Merlaku kaloi Dukagjinin në epërsi në minutën e 10-të, duke përfituar nga një gabim në mbrojtjen e Prishtinës.
Megjithatë, reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm, pasi vetëm një minutë më vonë Mario Ilievski barazoi shifrat në 1-1, me një goditje të saktë me kokë.
Deri në fund të takimit, Prishtina ishte skuadra më kërkuese, duke krijuar më shumë raste shënimi, por pa arritur të gjejë golin e fitores.
Në anën tjetër, Dukagjini u mbrojt mirë dhe me disiplinë, duke ruajtur rezultatin dhe marrë një pikë të rëndësishme në transfertë.
Pas këtij barazimi, Prishtina mbetet në vendin e tretë me 43 pikë, ndërsa Dukagjini renditet i gjashti me 35 pikë.
