Sot Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Gazeta Enigma.
Në komision raportoi Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila në fund u përshëndet me kryetarin e komisionit nga PDK, Përparim Gruda.
Me këtë rast, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri “ngacmoi” Grudën që u ngrit në këmbë për ta përshëndetur Gërvallën.
“Qe çfarë kryetari kemi, sa i respektushëm është”, tha me ironi Tahiri.
Gërvalla reagoi se “cilido prej juve me ardhë në zyren time edhe unë qohem në këmbë”.
Ndërkohë Gërvalla gjatë mbledhjes tha se ky projektligj synon të rrisë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe të forcojë mekanizmat kundër pasurisë së pajustifikueshme, duke theksuar se është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e institucioneve relevante.
“Do të rrisë qasjen dhe besimin e qytetarëve në drejtësi. Byroja shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është mekanizëm vital, është instrumenti kryesor për të siguruar që pasuria e zyrtarëve publik, të jetë e verifikueshme dhe në përputhje me të ardhurat e ligjshme. Përveç se garanton që pasuria e krijuar në shpërputhje me të ardhurat e ligjshme do të konfiskohet dhe do t’i kthehet shtetit, ligji njëkohësisht kontribuon që të hiqen dyshimet edhe për pasuritë dhe zyrtarët, të cilët pasurinë e tillë e kanë krijuar në rrugë ligjore”, tha ajo.
Ajo shtoi se projektligji ka kaluar nëpër tri opinione të Komisioni i Venecias dhe dy shqyrtime të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke theksuar se konfiskimi civil është konfirmuar si instrument i ligjshëm.
