Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave do të zhvillojë sot ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit C2 të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027, ku përballë do të ketë Bullgarinë.
Takimi do të luhet në Sofje, me fillim nga ora 16:00 (sipas kohës në Kosovë).
Dardanet hyjnë në këtë sfidë me një bilanc shumë pozitiv në përballjet e deritanishme ndaj bullgareve, me pesë fitore dhe një barazim në gjashtë ndeshje të zhvilluara. Kjo statistikë përbën një motiv shtesë për ekipin e drejtuar nga përzgjedhësi Sami Sermaxhaj, që synon të vazhdojë serinë e rezultateve të mira.
Forma aktuale e Kombëtares është mjaft inkurajuese. Fillimisht, më 3 mars, Kosova shënoi fitore bindëse ndaj Gjibraltarit (6:0), ndërsa vetëm katër ditë më vonë arriti një sukses të rëndësishëm në udhëtim ndaj Kroacisë (1:0), duke rritur ndjeshëm vetëbesimin brenda skuadrës.
Një tjetër rezultat pozitiv ndaj Bullgarisë do ta afronte edhe më shumë Kosovën drejt objektivit për të përfunduar në vendin e parë në grup.
