Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka hapur dyert ish-Presidentes Vjosa Osmani, për t’u kthyer në këtë parti.
Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Visar Azemi, tha se LDK synon kthimin e të gjithë anëtarëve dhe se ka vend edhe për Osmanin.
“LDK’ja po synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, kështu që edhe për Vjosa Osmanin mund të ketë vend në LDK”, ka deklaruar Azemi në një konferencë për media.
As vetë Osmani nuk e ka përjashtuar rikthimin në LDK.
Para se t’i përfundonte mandati, Osmani kishte deklaruar se vendimin për rrugën përpara do ta marrë bazuar në interesin e vendit.
E pyetur specifikisht nëse është opsion rikthimi në LDK, Osmani tha se “do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme”.
Në qershorin e vitit 2020, kryesia e LDK-së e shkarkoi Osmanin nga të gjitha postet partiake, për shkak të kundërshtimeve të shprehura lidhur me prishjen e koalicionit qeverisës me LVV-në dhe kundërshtimit të krijimit të qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.
