Banorë dhe aktivistë nga Peja, Plava, Gucia dhe Andrijevica, kanë paralajmëruar një protestë paqësore më 25 prill me kërkesën kryesore funksionalizimin e rrugës dhe hapjen e pikës kufitare në Çakorr, që do të lidhte më lehtë Kosovën me Malin e Zi.
Tubimi do të mbahet me sloganin “Mjaft me izolim!” dhe do të zhvillohet në zonën Kotlovi – Kuçishtë, në malin e Çakorrit, duke filluar nga ora 12:00.
Organizimi po udhëhiqet nga iniciatorët Muhamet Nikqi, Mehdi Berisha dhe Nedzat Cecunjanin, ndërsa pritet të marrë pjesë një numër i madh qytetarësh, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë nga të dyja anët e kufirit.
Organizatorët i kanë bërë thirrje institucioneve të Malit të Zi dhe Kosovës që hapja e pikës kufitare në Çakorr të trajtohet si prioritet strategjik, duke e lidhur atë me zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.
Sipas organizatorëve, mosfunksionalizimi i kësaj pike kufitare për vite me radhë ka sjellë izolim ekonomik dhe rënie të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, ndërsa ka goditur edhe turizmin në zonat malore.
Ata thonë se destinacione si Rugova, Plava dhe Gucia po shmangen nga vizitorët për shkak të mungesës së lidhjes direkte, duke ndikuar negativisht në bizneset lokale, përfshirë bujtinat, restorantet dhe transportuesit.
Në njoftim thuhet se gjatë protestës pritet të nënshkruhet një peticion zyrtar, i cili do t’u dorëzohet qeverive përkatëse si kërkesë për hapjen e kësaj pike kufitare, që organizatorët e quajnë jetike për rajonin.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga të gjitha zonat, përfshirë edhe nga Kosova, që t’i bashkohen protestës.
