Nga Ministria e Arsimit në Gjilan kanë njoftuar se kanë nisur kontrollet sistematike për nxënësit e klasave parafillore, klasës së parë dhe të pestë të Komunës së Gjilanit, raporton Gazeta Enigma.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu Qerimi, njoftoi mbi mbarëvajtjen e procesit.
Sipas saj, këto kontrolle po realizohen në kuadër të përkujdesjes së vazhdueshme për shëndetin e fëmijëve tanë, me qëllim të monitorimit të gjendjes së tyre shëndetësore dhe identifikimit të hershëm të çdo problematike të mundshme.
“Përmes këtij procesi synojmë të kontribuojmë në ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të nxënësve, duke siguruar një zhvillim të shëndetshëm dhe mirëqenie më të mirë për ta”, tha drejtoresha e Shëndetësisë.
Kurse drejtori për Arsim, Jeton Rexhepi, deklaroi se kontrollet do të realizohen nga ekipet profesionale mjekësore të QKMF-së, sipas planifikimit të përcaktuar, duke përfshirë të gjithë nxënësit e niveleve të lartpërmendura.
Sipas njoftimit qëllimi i këtij procesi është ruajtja dhe avancimi i mirëqenies shëndetësore të nxënësve, si dhe identifikimi i hershëm dhe parandalimi i çdo problematike të mundshme shëndetësore.
