Komisioni disiplinor i “Trepçës” Sh.A. ka mbajtur shqyrtim publik lidhur me rastet e dy punonjësve me inicialet XH.Q. dhe I.H., ndaj të cilëve janë konstatuar shkelje të rënda të detyrave të punës, në bazë të rregullores për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve.
“Trepça” Sh.A përmes një njoftimi në facebook ka bërë të ditur se sipas vendimit të komisionit, pas analizimit të provave dhe raportimeve zyrtare, është konstatuar se punonjësit kanë kryer mungesa të pajustifikuara në përmasa të mëdha, përkatësisht I.H. me 194 ditë mungesë dhe XH.Q. me 188 ditë mungesë nga vendi i punës.
Gjithashtu, në raportet e sistemit elektronik të evidencës është evidentuar se në disa raste është regjistruar vetëm hyrja në punë pa dalje, apo mungesë e plotë e evidencës së prezencës, ndërkohë që pagesat janë realizuar sikur punonjësit të kenë qenë të pranishëm.
Komisioni thekson se këto veprime përbëjnë shkelje të rënda disiplinore, duke përfshirë mungesa të pajustifikuara, paraqitje të pasaktë të evidencave të punës dhe manipulim të sistemit të evidencës së prezencës, në përputhje me nenin 10 të rregullores përkatëse.
Si pasojë, është marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për të dy punonjësit, ndërsa ndërmarrjes i është shkaktuar dëm financiar në vlerë të konsiderueshme.
Në kuadër të provave është shqyrtuar edhe një videoincizim i datës 01.04.2026, i cili, sipas komisionit, ilustron një rast të mosprezencës në vendin e punës.
