Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK, Ferat Shala ka folur në seancën e sotme lidhur me dy draftligjet e propozuara nga Qeveria e Kosovës për votim në Kuvend, raporton Gazeta Enigma.
Ato sipas deputetit Shala e prekin bazamentin juridik dhe ekonomik të sektorit të energjisë.
“Qeveria po na sjell dy draftligje që prekin bazamentin strukturor juridik ekonomik dhe organizativ të sektorit të energjisë. Jeni dëshmitarë që i gjithë globi temë aktuale e ka energjinë, deri në shkallën e luftërave frontale për burime energjetike dhe asetet e tyre. Ndërsa, ne sot në vend që ta kemi në temë debati mënyrën e organizmit menaxhimit, daljes nga kjo krizë globale, maksimalizimin e resurseve, harmonizimin me politikat reale zhvillimore të vendit, ne na sjellet një paketë e ligjeve, ku komplet baza juridike ekonomike centralizohet, jashtë çdo parimi etik në raport me kohën, me tregun e punës, me zhvillimet globale, por mbi të gjitha me interesin tonë nacional, sepse energjia është interes nacional i vendit tonë”, tha Shala.
