Në seancën e sotme deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka shprehur kritika ndaj Gjykatës Speciale dhe kryetares së saj, Ekaterina Trendafilova, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha se kjo gjykatë, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, po e trajton Kuvendin e Kosovës si “nënë surrogate”, duke shtuar se duhet të ftohet kryetarja e Dhomave të Specializuara për raportim.
“Kuvendi pranoi një letër mospërfillëse dhe pa përmbajtje nga kryetarja e gjykatës speciale. Ky kuvend përmes një rezolute ngriti shqetësimet serioze për cenimin e të drejtave të krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë por mori një përgjigje të thatë. Ky është komunikimi i parë i kësaj gjykate me ne. Gjykata Speciale është duke devijuar mandatin që ia ka dhënë ky Kuvend”, u shpreh ai gjatë seancës në Kuvend.
Behrami ka përmendur deklarimet e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca, në Këshillin e Sigurimit dhe ka thënë se derisa ministri e ka ngritur këtë çështje atje, edhe deputetët duhet ta bëjë atë në Kuvend.
“Dua të përshëndes qëndrimin dinjitoz te Glauk Konjufces qe e bëri në Këshillin e Sigurimit ku kërkoi që kjo gjykatë të raportojë në Kuvendin që e ka themeluar. Kur ministri e ka ngritur këtë çështje në instancat më të larta Kuvendi nuk duhet të heshtë. Duhet të kërkohen sqarime dhe te ndalohen raportimet në Eulex. Duhet të ftojmë urgjentisht në sqarim Trëndafilovën, dhe pse jo edhe shefin e Eulexit. Për këtë kërkoj mbështetje nga te gjitha grupet parlamentare”.
