13 vjetori i Marrëveshjes së Brukselit, Vuçiq: Shqiptarët s’deshën paqe, duan vetëm që ta njohim Kosovën

13 vjetori i Marrëveshjes së Brukselit, Vuçiq: Shqiptarët s’deshën paqe, duan vetëm që ta njohim Kosovën

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, deklaroi sot, me rastin e 13-vjetorit të Marrëveshjes së Brukselit, se kjo periudhë është shënuar me “gënjeshtra” dhe vlerësoi se Kosova nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që parashihet me atë marrëveshje.

Në një intervistë për “Kosovo Online”, siç ka raportuar ky portal, Vuçiq tha se edhe në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, sikurse edhe sot, ishte i përqendruar kah e ardhmja, dëshironte marrëdhënie të mira me shqiptarët dhe besonte se qëllimi i tyre i vetëm “nuk ishte vetëm t’i dëbojnë serbët, por se dëshironin paqe dhe stabilitet”.

Ai shtoi se ishte mashtruar, duke thënë se këtë “nuk e dëshironin as ata, e aq më pak ata që e detyronin Beogradin për gjithçka”.

Vuçiq tha gjithashtu se e ka “turp” që gjashtë nga dhjetë pikat e Marrëveshjes së Brukselit, që kanë të bëjnë me themelimin e AKS-së, nuk janë përmbushur, duke shtuar se mendon se turpi nuk është i tij, “por i atyre që e garantuan këtë – Bashkimit Evropian”, duke konstatuar se kanë kaluar 13 vjet gënjeshtrash.

“Mbajtëm, nuk do ta besoni, 245 takime në procesin e dialogut, 38 në nivelin më të lartë, Zoti e di sa ditë e net gjithsej, Zoti e di sa takime shumëpalëshe në margjinat e Bashkësisë Politike Evropiane dhe shumë organizatave e institucioneve të tjera. Dhe gjithmonë ka ekzistuar vetëm një dëshirë – si, dhe në çfarë mënyre t’i detyrojnë serbët ta pranojnë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

Presidenti serb vlerësoi se të gjitha këto janë “lojëra dhe lojëra të vogla”, ndërsa qëllimi është vetëm një – që Serbia “de jure”, e në fund edhe “de fakto”, ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Shtoi se është i bindur se Kosova nuk do ta themelojë AKS-në, duke pretenduar se tani pret që disa “gjysmëmiq” ta thërrasin në takime të përbashkëta me propozimin që të mos jetë AKS, por diçka e ngjashme, dhe përsëri brenda sistemit të Kosovës.

“Kjo është ideja e tyre e radhës. Thelbi është se ata e kanë shterur pusin dhe rezervuarin e gënjeshtrave të tyre dhe kjo nuk kalon më askund. E vetmja mënyrë si mund të bisedojnë tani është – ‘duhet ta bëni këtë, përndryshe sanksionet do të jenë të tilla’”, tha Vuçiq.

Related Articles