Aleanca Kosova e Re mbrëmë ka mbajtur Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor, në të cilin janë zgjedhur organet e reja drejtuese të partisë, raporton Gazeta “Enigma”.
Në këtë kuvend, me shumicë votash, drejtimi i AKR-së për katër vitet e ardhshme i është besuar Emir Abrashit, i cili e cilësoi këtë si një nder të madh, por edhe përgjegjësi të rëndësishme ndaj anëtarëve dhe qytetarëve të Kosovës.
“Me shumicë votash, mora besimin për ta udhëhequr AKR-në në katër vitet e ardhshme. Ky është një nder i madh, por mbi të gjitha një përgjegjësi serioze ndaj secilit prej jush dhe ndaj qytetarëve të Kosovës. AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synimin për të ofruar një alternativë të besueshme dhe moderne politike”, tha ai.
Në fjalën e tij, ai theksoi se AKR do të hyjë në një fazë të thellë reformimi dhe ristrukturimi, me synimin për të ndërtuar një alternativë të besueshme dhe moderne në skenën politike të vendit.
“Shpreh mirënjohjen time të veçantë për Presidentin Emeritus të AKR-së, z. Behgjet Pacolli, për mbështetjen dhe besimin e tij në këtë proces. Bashkëpunimi ynë, duke ndërthurur përvojën e tij të vyer me energjinë dhe vizionin tim, do të jetë kyç për rikthimin e AKR-së aty ku e ka vendin — në institucionet e vendit, si një zë konstruktiv, i përgjegjshëm dhe i orientuar drejt interesit publik”.
“I uroj përzemërsisht organet e sapozgjedhura: Sekretarin e Përgjithshëm Liridon Llapashtica, Nënkryetarët Gjergj Beka, Festina Kurteshi dhe Bejtush Gashi, Sekretarin Organizativ Petrit Makolli, Sekretarin për Marrëdhënie me Jashtë Gëzim Mehmeti, si dhe të gjithë anëtarët e Kryesisë së re — suksese në detyrat që na presin përpara”, ka shkruar Abrashi.
Tutje ai ka theksuar se “ky rrugëtim nuk do të jetë i lehtë, por me përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetjen tuaj, jam i bindur se do t’ia dalim”.
